12 Maj, 2022 - 2:49 pm
Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani Sadriu, në fillim të vizitës së saj zyrtare në Lituani, është pritur nga Presidenti i Republikës së Lituanisë, Gitanas Nausėda me të cilin u diskutua hapja e kapitujve të ri të partneritetit në mes të dy vendeve.
Presidentja Osmani ka përmendur historinë e gjatë të popujve tanë në rezistencën e guximshme kundër okupatorëve si dhe kontributin e vendeve tona për një Evropë më paqësore dhe të sigurt.
“Sot Lituania e përkrahë Kosovën në aspiratat euro-atlantike dhe në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, ndërkaq së bashku qëndrojmë kundër luftës gjenocidale të Rusisë në Ukrainë. ”, ka thënë Presidentja Osmani.
Ndër të tjera, të dy presidentët kanë diskutuar edhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë si dhe mundësitë e rritjes së shkëmbimit tregtar. Presidentja Osmani e ka informuar homologun e saj për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duke kërkuar përkrahjen e Lituanisë për këtë proces si dhe për integrimin e Kosovës në BE dhe në NATO. Presidenti Nausėda ritheksoi përkrahjen e fuqishme të Lituanisë për pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës si dhe për integrimin euro-atlantik të vendit tonë.
Gjatë qëndrimit në Lituani, Presidentja Osmani do të realizojë takime edhe me Kryeministren e vendit, Ingrida Šimonytė si dhe Kryetaren e Kuvendit Viktorija Čmilytė-Nielsen si dhe do të zhvillojë takime e aktivitete të tjera. / KultPlus.com