Presidentja Osmani: Frank Wisner ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë

24 Shkurt, 2025 - 8:47 pm

Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të diplomatit dhe mikut të Kosovës, Frank G. Wisner.

Presidentja Osmani ka thënë se karriera e tij e gjatë dhe e ndritur në shërbim të diplomacisë amerikane, përfshirë rolin e tij si emisar në bisedimet për statusin e Kosovës, ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë.

“Z. Wisner ishte një njeri i përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit, duke vepruar me mençuri e integritet në momentet vendimtare të diplomacisë ndërkombëtare. Kontributi i tij në çështjet globale, si dhe angazhimi i tij për Kosovën, do të kujtohen me mirënjohje dhe respekt të përjetshëm”, ka thënë Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani, po ashtu ka thënë se ka pasur nderin të punojë për së afërmi me Ambasadorin Wisner për vite të tëra dhe se për herë të fundit bisedoi në telefon me të para pak muajsh për t’i uruar sukses në betejat shëndetësore me të cilat po përballej.

“Kujtimi dhe vepra e tij do të mbeten gjithmonë pjesë e historisë sonë. I përhershëm qoftë kujtimi për diplomatin dhe mikun e Kosovës, Frank G. Wisner!”, ka thënë Presidentja Osmani./ KultPlus.com

Të ngjajshme