5 Tetor, 2023 - 2:06 pm
Presidentja Vjosa Osmani po merr pjesë në samitin e tretë të Komunitetit Politik Europian, i cili sivjet po mbahet në Granada të Spanjës.
Ajo i bëri thirrje këtij vendi, i cili është më kundërshtuesi i pavarësisë së Kosovës ndër pesë shtetet mosnjohëse të BE-së, që t’i bashkohet vendeve të tjera europiane që ta sanksionojë Serbinë për agresionin ndaj Kosovës.
“Spanja është një vend që kontribuon në paqe dhe stabilitet në gjithë kontinentin europian. Shpresoj që ata ta kuptojnë që përkrahja e agresorit – për të cilën ka evidenca të qarta nga 24 shtatori – nuk do të ndihmojë paqen dhe stabilitetin. Prandaj, shpresoj që Spanja do t’i bashkohet vendeve që janë të një mendjeje për të adoptuar masa ndaj Serbisë për këtë akt të tmerrshëm të kryer jo vetëm ndaj Kosovës, por kundër paqes, stabilitetit dhe sigurisë në gjithë kontinentin e Europës”.
Osmani po ashtu bëri thirrje që edhe vendet e tjera të bëhen bashkë për të sanksionuar Serbinë, derisa tha se nuk ka takime me Serbinë pa u sanksionuar ajo, raporton Express.
“Shpresoj që do ta kemi mbështetjen e të gjithëve për këtë. Deklaratat nuk mjaftojnë, duhet të ndërmarrin masa dhe të jemi unanim në mbështetje të Kosovës sa i përket kërcënimeve nga Serbia. Ka disa vende që i mbështesin këto masa dhe shpresoj që do të punojnë, jo për faktin që Kosova po e kërkon këtë, po për shkak të paqes në Europë”, tha Osmani para gazetarëve. / KultPlus.com