27 Mars, 2024 - 11:04 am
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka përkujtuar sot 25 vjetorin e tragjedisë së familjes Çerkezi nga Gjakova.
Bashkëshorti dhe djemtë e nënës Ferdonije Çerkezi, u morët me forcë nga shtëpia e tyre nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë për të mos u kthyer kurr më.
Presidentja Osmani është shprehur se historia e Nënë Ferdonijes duhet të shërbejë si kujtesë e historisë sonë të trishtë, por edhe e përgjegjësisë që të mos reshtim në kërkesën për drejtësi dhe në mbrojtje të së vërtetës.
Ky është postimi i plotë i presidentes:
Shtëpia e saj tashmë është muze. Pjatat në tavolinë janë bërë personifikim i pritjes për djemtë dhe bashkëshortin e Nënës Ferdonije Çerkezi, e cila prej 25 vjetësh, dhimbjen e ka bashkuar me pritjen.
Në ora 11:00, 25 vjet më parë ajo pati takimin e fundit me katër djemtë dhe bashkëshortin, të cilët forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, i rrëmbyen dhunshëm. Eshtrat e dy djemve janë gjetur, teksa pritja për zbardhjen e fatit të 2 djemve dhe bashkëshortit, ende nuk ka marrë fund.
Nga atëherë, pritja e ka rënduar, por Nëna stoike nuk ka hequr dorë nga shpresa.
Historia e Nënë Ferdonijes duhet të shërbejë si kujtesë e historisë sonë të trishtë, por edhe e përgjegjësisë që të mos reshtim në kërkesën për drejtësi dhe në mbrojtje të së vërtetës.
Fotot: Artan Korenica & Arban Osmani. / KultPlus.com