Presidentja Osmani i bën thirrje BE-së: Në këtë moment kritik, qëndroni pranë nesh të palëkundur

14 Qershor, 2023 - 12:14 pm

Presidentja Vjosa Osmani filloi fjalimin e saj në Parlamentin Europian me një frazë të ish-presidentit Rugova, të cilën e tha në shqip, anglisht dhe frëngjisht.

“Liri, pavarësi, demokraci”, tha Osmani.

“Këto tri fjalë të fuqishme, s’kanë qenë vetëm fjalë që janë theksuar përsëri e përsëri e me zë të lartë nga ish-presidenti Rugova, por me të vërtetë kanë qenë vizion i popullit të Kosovës. Sot ky vizion i Rugovës, heronjve, i popullit tonë  është realitet. Kosova sot është e lirë, e pavarur dhe Kosova sot është flakadan i demokracisë”.

Osmani tha se si presidentja e parë nga Kosova, që po flet në këtë institucion, është atje për të thënë “faleminderit!”.

Në adresimin e saj në sesionin plenar të Parlamentit Evropian, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani përmendi fjalët emblematike të presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova “Liri, Pavarësi, Demokraci”.

Sipas presidentes Osmani, këto fjalë ishin vizioni i popullit të Kosovës, i cili u bë realitet.

“Sot ai vizion i Rugovës, heronjve tanë dhe popullit tonë është realitet. Kosova sot është e lirë. Kosova sot është e pavarur. Dhe Kosova sot është një fener i demokracisë”, ka theksuar Osmani para eurodeputetëve në adresimin e saj.

Përgjatë adresimit të saj, Osmani riktheu në kujtesë periudhën e para 25 vjetëve më parë kur presidenti Rugova, atëkohë fitues i çmimit Saharov mbajti fjalim në PE.

“Presidenti Rugova e konsideroi çmimin si njohje të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës së tij për liri, por më e rëndësishmja ai përdori pikërisht këtë platformë për të kërkuar mbështetjen e deputetëve të atëhershëm për t’u bashkuar në emër të vlerave të cilat ky Union i përfaqëson. Ai kërkoi që Evropa të bashkohej në mbrojtje të një populli të shtypur”, theksoi Presidentja Osmani. Sipas Presidentes Osmani ky fjalim i dha shpresë popullit të Kosovës.

“Evropa jo vetëm që ia kishte hapur dyert Presidentit Rugova, por kishte hapur zemrat dhe mendjet e saj për një popull të shtypur sistematikisht. Sot, duke qëndruar këtu në Strasburg, kam nderin të jem presidentja e parë e Republikës së pavarur të Kosovës që do të flas para Parlamentit Evropian, për t’ju falënderuar për kontributin e pamasë dhe të vazhdueshëm që ky institucion ka dhënë për lirinë, demokracinë tonë dhe pavarësinë”, është shprehur ndër të tjera Osmani.

Presidentja Osmani ka theksuar gjithashtu se Kosova ka ecur dhe po do të ecën përkrahë institucioneve evropiane.

“Në këtë moment kritik, ju bëj thirrje që të qëndroni të palëkundur pranë nesh“, u shpreh mes tjerash Osmani derisa shtoi se “Kosova është Evropë, të jesh kosovar do të thotë të jesh evropian”, tha presidentja. / KultPlus.com

Të ngjajshme