Presidentja Osmani i kundërpërgjigjet ministres Gërvalla për ‘Llafet’: Me kast, me kast mjeshtër i mashtrimeve

31 Korrik, 2024 - 5:02 pm

Në një konferencë për media Presidentja Vjosa Osmani i është kundërpërgjigjur me të njejtin diskurs ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, përmes një tjetër kënge të Dafina Zeqirit.

Ministrja e Jashtme më 30 korrik duke folur në një aktivitet të organizuar nga MPJ-ja për mërgimtarët, pasi ka performuar Dafina Zeqiri, ka thënë se ajo “e këndoi këngën e presidentes – ‘llafe, llafe’”.

Kurse si kundërpërgjigje ndaj kësaj Presidentja Osmani e ka përmendur këngën e Zeqirit “Me t’kast”, të lansuar së fundmi në bashkëpunim me Mozzikun.

“Nuk e kom pa, po u dashka me gjet edhe me pa. Nuk do të komentoja raporte, por kemi dallime në qëndrime dhe janë të qarta dhe publike. Nëse doni me vazhdu pak me këngë të Dafinës, e ka një të re ‘me kast, me kast, mjeshtër i mashtrimeve, me kast, me kast përsëritës i gabimeve’. Përndryshe, Dafina një përkrahëse e fuqizimit të gruas dhe kauzës së barazisë gjinore”, ka thënë Osmani.

Presidentja Osmani dhe Ministrja Gërvalla kanë pasur përplasje rreth qështjes së anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës. Ministrja Gërvalla kishte dërguar një letër Këshillit të Evropës,  në emër të Qeverisë, duke u zotuar se Kosova do ta bëjë një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim. Pas kësaj Presidenca doli me reagim në të cilin thuhej  se për letrën nuk pati koordinim mes Qeverisë dhe Osmanit./ KultPlus.com

Të ngjajshme