Presidentja Osmani: Krasniqi nderoi një komb të tërë, Kosovës i solli medaljen e dytë të artë olimpike

24 Korrik, 2021 - 12:37 pm

Pas fitores së Krasniqit në gjysmëfinale ku xhudistja kosovare mposhti Urantsetseg Munkhat të Mongolisë duke fituar medaljen Olimpike, tani ajo ka arritur të fitojë medaljen e Artë, raporton KultPlus.

Krasniqi fitoi në finale kundër japonezes Funa Tonaki.

Për fitoren e Krasniqit ka shkruar edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila përmes një statusi në faqen zyrtare në Facebook, ka theksuar se Krasniqi e ka ngritur falmurin e shtetit tonë në piedestalin më të lartë.

Më poshtë gjeni statusin e plotë të Presidentes Osmanit:

Distria i solli Republikës sonë medaljen e dytë të artë olimpike. Nder e krenari e lumturi e papërshkrueshme.

Ajo e ngriti sot flamurin e shtetit të saj në piedestalin më të lartë. Me suksesin e saj olimpik ajo nderoi një komb të tërë, si dhe e gëzoi fort çdo zemër në Kosovë por edhe shumë të tjera anë e mbanë botës.

Distria, e para e botës, dëshmoi sot sërish se është e pamposhtur dhe se është krenaria e vendit tonë. Ajo dëshmoi që talenti dhe puna triumfojnë gjithnjë.

Sot, nëpërmjet Distrias, Kosova shkëlqeu para tërë botës.

Sot dhe përherë, Kosova do të krenohet me ty. Bravo. / KultPlus.com

Të ngjajshme