28 Mars, 2025 - 8:20 pm
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar masakrën ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu.
“16 anëtarë të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu , në mesin e të cilëve fëmijë e gra u shuan mizorisht nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, më 28 mars 1999, në Podujevë”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Tutje, në njoftim thuhet se ata ishin fëmijë që mbanin lodrat në duar dhe nëna që i përqafonin fort, duke u përpjekur t’i mbronin nga e keqja. Por, krimi kishte fytyrë, kishte uniformë dhe u bë me urdhra shtetërorë për t’i shfarosur pa dallim moshe e gjinie. Masakra ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu është dëshmi e strategjisë së organizuar të një regjimi që kreu krime të paimagjinueshme mbi popullin shqiptar.
“Pa drejtësi, plagët mbeten të hapura dhe dhimbja përsëritet brez pas brezi. Ne nuk harrojmë, ndaj nuk ndalemi së kërkuari drejtësi për ta dhe për mijëra viktima të tjera të gjenocidit serb në Kosovë”, janë shprehur nga presidenca./KultPlus.com