6 Prill, 2025 - 12:59 pm
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot të rënët në masakrën e fshatit Polac dhe Qabiq.
Në prillin e vitit 1999, në Polac, në njërën nga ofansivat më të egra të regjimit gjenocidal serb, brenda një jave janë vrarë 78 civilë shqiptarë, burra, gra e fëmijë. Kurse më 7 prill të 1999, ushtria serbe sulmoi edhe Qabiqin, ku ekzekutoi 10 civilë.
Presidentja Osmani ka thënë se Masakra e Polacit dhe e Qabiqit nuk janë vetëm kujtime të dhimbshme, por pjesë e historisë së vendit, e të vërtetës që nuk guxon të harrohet.
“Sot përulemi me nderim të thellë edhe para kujtimit të 8 dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ranë në altarin e lirisë.
Më 7 prill të atij viti, makineria vrastare serbe sulmoi edhe Qabiqin, ku ekzekutoi 10 civilë, në një tjetër krim që dëshmon përmasat e terrorit që ushtrohej mbi popullsinë shqiptare në atë kohë.
Këto masakra nuk janë vetëm kujtime të dhimbshme, por pjesë e historisë sonë, e të vërtetës që nuk guxon të harrohet. Duke nderuar martirët dhe dëshmorët, ne kujtojmë sakrificën, mbrojmë të vërtetën dhe riafirmojmë përkushtimin tonë për drejtësi.
Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës!”, thuhet në shkrimin e presidentes./ KultPlus.com