9 Prill, 2025 - 5:42 pm
Presidentja e Republikës së Kosovës, është shprehur se sot shënojmë një nga momentet më të rëndësishme në historinë shtetërore të Kosovës, miratimin e Kushtetutës sonë, që më 9 prill 2008 i vuri themelet juridike dhe institucionale shtetit tonë të pavarur.
“Kushtetuta është kontrata jonë e përbashkët për një shoqëri demokratike, të drejtë dhe të barabartë. Ajo garanton liritë dhe të drejtat themelore të çdo qytetari, pa dallim etnie, gjinie apo përkatësie, duke vendosur sundimin e ligjit si themel të funksionimit të institucioneve”, është shprehur Osmani.
Tutje, ajo ka shtuar se në këtë ditë, riafirmojmë përkushtimin tonë për ta mbrojtur Kushtetutën, për ta zbatuar me përpikëri, dhe për ta jetësuar në çdo vendim, politikë e veprim. Sepse vetëm përmes forcimit të sundimit të ligjit dhe respektimit të rendit kushtetues, mund të ndërtojmë një shtet që i shërben qytetarëve të vet me dinjitet dhe drejtësi.
“Një shtet që i përmbahet dhe e respekton germën dhe frymën e Kushtetutës është garantues i një të ardhme të sigurt dhe të drejtë për të gjithë qytetarët e tij”, ka shtuar ajo./KultPlus.com