6 Dhjetor, 2021 - 7:00 pm
Majlinda Kelmendi sot me një ceremoni shtetërore edhe zyrtarisht i ka dhënë fund karrierës së bujshme të saj.
Për nder të xhudistes më të suksesshme kosovare, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka organizuar një ceremoni shtetërore.
Kjo ceremoni po mbahet në institutin “Ali Hadri” në Prishtinë.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani tha se Majlinda dëshmoi se nuk ka shtete të vogla që nuk mund te kenë sukses
“Ka fituar çdo gjë që mund të fitohet. Falë përkushtimit te saj, flamuri i Republikës së Kosovës valoi në Rio. Pa Majlinden dhe perkushtimin e saj, sot nuk do ta kishim as Distrian e Noran. Ajo dëshmoi se nuk ka shtete të vogla që nuk mund të kenë sukses”, tha presidentje e Kosovës, Vjosa Osmani.
Majlinda konsiderohet si sportistja më e madhe që e ka pasur ndonjëherë Kosova.
Ajo e arriti kulmin e karrierës në vitin 2016 kur ia solli Kosovës medaljen e parë të artë olimpike nga “Rio 2016”.
Ndër të tjera, ajo është shpallur dy herë kampione botërore dhe katër herë kampione evropiane.
Në total, Majlinda i ka fituar 46 trofe në sportin e xhudos.
Në gara të rëndësishme, ajo i ka koleksionuar 29 medalje të arta, 6 të argjendta dhe 9 të bronzta.
Majlinda e kishte përfaqësuar Shqipërinë në Olimpiadën e Londrës më 2012, ndërsa këtë vit mori pjesë në Olimpiadën e Tokyos, ku nuk ia doli ta mbronte titullin e kampiones.
Tash e tutje, Kelmendin do ta shohim në zejen e trajneres pasi ajo do të jetë asistente e trajnerit Driton Kuka. / KultPlus.com