Presidentja Osmani: Masakra e Poklekut, kujtesë që nuk shuhet, plagë që nuk mbyllet pa drejtësi

17 Prill, 2025 - 10:43 am

Presidentja e Republikës së Kosovës, ka përkujtuar Masakrën e Poklekut, duke u shprehur se është kujtesë që nuk shuhet dhe plagë që nuk mbyllet pa drejtësi.

“Në mesin e 54 të vrarëve në Poklek, 24 ishin fëmijë nga mosha gjashtë muaj e deri në 17 vjeç. Ata u vranë mizorisht e pastaj u dogjën nga forca të regjimit gjenocidal serb, synim i të cilëve ishte shfarosja. Në mesin e viktimave, ishte edhe Liria, një foshnjë vetëm 6 muajshe, që mbante emrin e një ideali që ende nuk e kishte jetuar. Ajo nuk e gëzoi kurrë lirinë. Por emri i saj mbetet amanet për secilin prej nesh. Të tillë mbeten edhe emrat e 23 të vrarëve në Çikatovë të Vjetër”, është shprehur ajo.

Tutje, presidentja ka shtuar se nuk mjafton që viktimat vetëm të kujtohen, por e kemi obligim të kërkojmë drejtësi për çdo fëmijë të vrarë dhe për çdo familje të shuar.

“Drejtësia nuk është hakmarrje. Është premtimi më minimal që ia kemi borxh viktimave. Është përgjegjësia jonë që ky krim të mos mbulohet nga pluhuri i harresës apo nga heshtja. Të mos ndalemi derisa drejtësia të triumfojë. Sepse pa të, pa të vërtetën e thënë dhe të njohur, pa përgjegjësi për krimet, nuk ka paqe të qëndrueshme”, ka shtuar Osmani./KultPlus.com

Të ngjajshme