27 Prill, 2022 - 9:49 pm
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mori pjesë në ceremoninë lamtumirëse të Sekretares së Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright.
Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ish-presidentja Atifete Jahjaga.
Osmani ka shpërndarë disa fotografi nga kjo ceremoni në rrjetin social Facebook, ku krahas tyre shkroi se Kosova është përgjithmonë falënderuese për kontributin e jashtëzakonshëm të sekretares Albright për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë, si dhe mbështetjes së saj të vazhdueshme për Kosovën e lirë, të pavarur, të zhvilluar e me vendin e merituar në arenën ndërkombëtare.
“Sot, në Washington D.C., i dhamë lamtumirën e fundit mikes së madhe të Kosovës, gardianes së lirisë e demokracisë dhe zërit të fuqishëm të popullit tonë, Madeleine Albright.
Sekretarja Albright e njohu dhimbjen e popullit tonë, e ne do ta vazhdojmë përpjekjen e saj, për ta avancuar dhe për ta mbrojtur demokracinë! Miqësinë me Amerikën e kemi të përjetshme, siç do ta kemi kujtimin për Sekretaren Albright”, shkroi Osmani.
Po ashtu, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti kanë takuar Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken në Washington DC. / KultPlus.com