Presidentja Osmani nderohet me çmimin e forumit M100 Sanssouci Colloquium

12 Shtator, 2024 - 2:39 pm

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Gjermani për ta pranuar çmimin e forumit M100 Sanssouci Colloquium, i cili mbahet një herë në vit që nga viti 2005 në qytetin e Potsdam-it.

“Nominimi i Presidentes Osmani është bërë nga juria e Forumit me unanimitet të plotë nga të gjithë anëtarët e jurisë dhe është liderja e parë nga Ballkani që nderohet me këtë çmim”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Në njoftimin e bërë nga juria, thuhet se Osmanit i është dhënë ky çmim për përkushtimin e saj ndaj vlerave euroatlantike dhe për punën e saj të palodhur në reforma. Ky çmim u jepet personaliteteve që janë të përkushtuara për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe të drejtave të njeriut.

“Përpos Presidentes Osmani, laureat i këtij çmimi është edhe kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, teksa në garë për këtë titull kanë qenë edhe personalitete të ndryshme evropiane, përfshirë presidentë dhe kryeministra. Ky forum ndërkombëtar udhëhiqet nga kryebashkiaku i qytetit të Potsdam-it Mike Schubert”, ka njoftuar tutje presidenca.

Me këtë çmim deri tani janë nderuar edhe personalitete të ndryshme evropiane, si: Hans-Dietrich Genscher, Bernard Kouchner, Mario Draghi, Vitali Klitschko, Alexei Naëalny, populli ukrainas dhe Lëvizja për Lirinë e Jetës së Grave Iraniane./KultPlus.com

Të ngjajshme