22 Qershor, 2022 - 12:07 pm
Me ftesë të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Bruksel, ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në takimin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
Në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Presidentja Osmani do ta përçojë mesazhin e qartë të popullit të Kosovës mbi nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit, duke filluar nga liberalizimi i stërvonuar i vizave, deri tek mbështetja për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës, pas aplikimit.
Liderë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel ndër të tjera do të diskutojnë për procesin e zgjerimit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, bashkërendimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe sfidat gjeostrategjike si rezultat i agresionit rus në Ukrainë.
Po ashtu gjatë vizitës në Bruksel, Presidentja Osmani do ta takojë presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, si dhe krerë tjerë shtetesh partnere të BE-së për ta rritur mbështetjen për rrugëtimin evropian të Kosovës. / KultPlus.com