6 Maj, 2021 - 5:28 pm
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në Ditën e Goranëve ka pritur përfaqësues të këtij komuniteti, përcjell KultPlus.
Presidentja Osmani ka uruar komunitetin goran në ditën e tyre, duke i falënderuar për kontributin e tyre për diversitetin kulturor. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka theksuar mbështetjen e saj për fuqizimin e grave të këtij komuniteti në të gjitha nivelet, duke theksuar se problemet me të cilat përballet komuniteti goran janë të njëjta me të qytetarëve të tjerë të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq përfaqësuesit e këtij komuniteti kanë theksuar se komuniteti goran ndihet pjesë e shtetit të Kosovës, ndaj kërkuan mbështetjen e institucioneve në mënyrë që të adresohen nevojat e komunitetit për punësim dhe zhvillim. Ata kanë potencuar rolin e rajonit të Gorës edhe në zhvillimin e turizmit në këtë pjesë.
Më tej, ata kërkuan rritjen e kujdesit institucional për komunitetin goran dhe vendbanimet e tyre, në mënyrë që rinia e kësaj ane të mos e braktisë Kosovën. Përfaqësues të këtij komuniteti kanë shfaqur shpresën se projektet zhvillimore që mbështesin komunitetin do të përkrahen edhe nga institucionet vendore./ KultPlus.com