14 Prill, 2025 - 2:46 pm
Në 14 prill, Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, krahas dy të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman dhe Shyhrete Tahiri-Sylejmani është shprehur se do të ngrejnë zërin kundër dhunës dhe kundër përjetimeve më të llahtarshme që regjimi serb ka përdorur kundër popullit të Kosovës.
“Në këtë 14 prill si dhe në çdo ditë të vitit ne ngrejmë zërin tonë bashkë me Vasfijen dhe Shyhreten por edhe çdo qytetar të Republikës së Kosovës. Ngrejmë zërin tonë kundër dhunës, kundër një përjetimeve më të llahtarshme që regjimi serb ka përdorur kundër popullit të Kosovës, dhunimin seksual gjatë luftës por mbi të gjitha ngrejmë zërin tonë për drejtësi”, është shprehur Osmani.
Tutje, ajo është shprehur se drejtësia ka munguar për këto 26 vite për të gjithë të mbijetuarit e dhunës në Kosovë.
“Zëri ynë do të vazhdojë të dëgjohet edhe tash e tutje, zëri i të mbijetuarve dhe të vërtetës së Kosovës është dëgjuar nga OKB, nga Amerika Latine në Afrikë e në çdo kontinent tjetër sepse është zëri i të vërtetës. Është qëndrueshmëria e grave dhe burrave që nga sot kanë dal të flasin publikisht që e bën Kosovën një shembull të asaj se si duhet të luftohet për të vërtetën dhe drejtësinë”, ka shtuar tutje presidentja.
Ndërsa, Vasfije Krasniqi – Goodman është shprehur se kjo ditë për të ka qenë një ditë shumë e vështirë por nga sot do të shndërrohet në forcë.
“Unë jam krenare që zëri im i ka thyer heshtjet dhe tabutë në shoqërinë tonë dhe i lus të gjitha viktimat të flasin për atë që ju ka ndodhur”, u shpreh ajo.
Kurse, Shyhrete Tahiri-Sylejmani ka falënderuar presidentën që ka ngritur zërin dhe ka shtuar se kjo ditë është shumë e rëndësishme.
“Lus të gjithë të mbijetuarit të kenë guximin të dalin dhe të flasin sikur na”, shtoi ajo./KultPlus.com