6 Qershor, 2022 - 7:34 pm
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në nisjen e Javës së Krenarisë nëpërmjet sloganit “Edhe n’shtet, edhe n’familje”, ka thënë që Qeveria e Kosovës është duke punuar në krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë pa dallime.
Tutje Osmani ka thënë që barazia asnjëherë nuk guxon të jetë selektive dhe se ajo duhet të vlejë për të gjithë.
“Stigmatizimi vazhdon të jetë prezent në shoqërinë tonë. Problemet janë pothuajse identike në vendin tonë e rajonin tonë e deri te kontinenti amerikan e aziatik. Në këto rrethana kemi shansin të bëjmë dallimin, se kuptojmë më mirë se deri tani, se duam më mirë se deri tani dhe se ne dashurojmë pa dallim. Sukseset nuk i arrijmë me kërcënime e gjuhë të pa pranueshme ndaj secilës palë. Kjo është mënyra jonë e vetme për ta luftuar stigmën”, ka thënë Osmani.
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu tha se duhet të kemi respekt reciprok ndaj njëri-tjetrit dhe të mos diskriminim pavarësisht gjinisë apo orientimit seksual.
“Ndonëse kemi shënuar progres në ndërtimin e një sistemi të mirëfilltë demokratik jam plotësisht e vetëdijshme për sfidat që kemi, andaj angazhimi për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut duhet dhe do të mbetet përkushtim i përhershëm i institucioneve tona…Ftoj të gjithë përfaqësuesit e institucioneve që të jenë në shërbim të kauzave të përbashkëta për respektimin dhe avancimin e të drejtave të njeriut”, tha Haxhiu.
Ambasadori i SHBA-së Jeff Hovenier ka thënë se pavarësisht progresit të arritur, ka ende shumë punë për të bërë për avancimin e të drejtave të komunitetit LGBTQI+.
“Ne jemi mbledhur këtu që të shënojmë dhe kremtojmë fuqizimin e diversitetit në Kosovë, si dhe të njihet kontributi i personave nga komuniteti LGBTQI+ këtu në Kosovë si dhe në gjithë botën, dhe derisa ne shënojmë progresin e arritur në SHBA, Kosovë dhe vendet e tjera në botë, ne po ashtu mbetemi në dijeni se mbetet edhe shumë për të bërë për të avancuar dhe fuqizuar të drejtat e njeriut për komunitetin LGBTQI+”, ka thënë ai.
Ndërsa, Tomas Szunyog, ambasador i Bashkimit Evropian në Kosovë, ka theksuar se komuniteti LGBTQI+ vazhdon të përballen me sfida për shkak të orientimit të tyre seksual.
“Çështja e komunitetit LGBTQI+ është një proces kompleks. Kjo është një eksperiencë nëpër të cilën kalon BE. Të drejtat e personave të komunitetit LGBTQI+ janë në mbrojtje të ligjeve të vendeve të Bashkimit Evropian, por ata ende përballen me sfida për shkak të orientimit të tyre seksual ose identitetit gjinor. Parada e krenarisë në Kosovë është mbajtur për pesë vjet deri më tash dhe nuk ka pasur asnjë incident dhe ne jemi të lumtur të shohim këtë trend”, ka thënë ai.
Arbër Nuhiu, drejtor Ekzekutiv i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD) ka ngritur shqetësime rreth debatit për draft kodin civil, ku ai tha se është përdorur gjuhë fyese ndaj komunitetit LGBTQI+.
“Një çështje tjetër që ka ndodhur dhe është shumë shqetësuese është gjuha e përdorur nga disa deputetë gjatë seancës së Parlamentit të Kosovës, më 16 mars kur i gjithë debati për draft kodin civil u kufizua në një paragraf që nuk rregullon asgjë. Ajo ishte gjuhë urrejtjeje dhe më së shumti gjuhë e gërditshme. Kuvendi i Kosovës lejoi që të një pjesë e qytetarëve të Kosovë të fyhen. Është dëshpëruese që askush nuk ka reaguar”, tha ai.
Ndryshe, Java e Krenarisë synon të ngritë vetëdijen kolektive dhe dukshmërinë e orientimeve të ndryshme seksuale dhe identiteteve të ndryshme gjinore në shoqërinë kosovare, të adresojë çështje të situatës aktuale të personave LGBTQI+ dhe të luftojë diskriminimin. / KultPlus.com