Presidentja Osmani: Në Kosovës kurrë më nuk do të ketë policë dhe ushtarë të Serbisë

9 Dhjetor, 2022 - 1:29 pm

Pas kërcënimeve të hapura nga zyrtarët e lartë të Serbisë të cilët u shprehen se janë duke e shqyrtuar mundësinë e dërgimit të 1 mijë ushtarëve në Kosovë siç thonë “në përputhje me Rezolutën 1244”, ka reaguar sot presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani është shprehur se në territorin e Kosovës s’do të ketë kurrë më as policë e as ushtarë të Serbisë.

Postimi i plotë i presidentes:

Kërcënimi i hapur për agresion policor e ushtarak nga ana e Serbisë dëshmon se në atë shtet vazhdon mendësia hegjemoniste. Kjo duhet të refuzohet e kundërshtohet qartë nga e gjithë bota demokratike, e cila i dha goditjen më të fuqishme kësaj mendësie pikërisht në vitin 1999.

Plagosja e mbrëmshme e një pjesëtari të Policisë së Kosovës është veprim kriminal dhe i orientuar kundër rendit kushtetues e sovranitetit të Kosovës si dhe kundër veprimeve për sundim të rendit e ligjit. Gjithashtu, sulmet ndaj gazetarëve përbëjnë cenim flagrant të të drejtës për informim të lirë.

Autorët e këtyre krimeve, urgjentisht të sillen para drejtësisë, ndërkaq institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë menjëherë.

Në territorin e Republikës së Kosovës kurrë më nuk do të ketë policë dhe ushtarë të Serbisë! Ëndrra hegjemoniste e Serbisë nuk do të jetësohet kurrë! / KultPlus.com

Të ngjajshme