Presidentja Osmani: Në Reçak u krye krim kundër njerëzimit, pavarësisht se sa tenton ta mohoj regjimi i Vuçiqit

15 Janar, 2024 - 11:57 am

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ceremonisë përkujtimore të masakrës së Reçakut, ka thënë se 15 janari i vitit 1999 është kujtesë e përhershme për brutalitetin ndaj fëmijëve, grave dhe burrave që e pësuan veç se ishin shqiptarë.

“Është kujtesë e jona e përhershme për brutalitetin ndaj fëmijëve, grave dhe buraave të cilët e pësuan vetëm për shkak se ishin shqiptarë”, tha ajo.

Presidentja Osmani tha se “jemi këtu për të kërkuar drejtësi”.

“15 janari i vitit 1999 i tronditi themelet e ndërgjegjes njerëzore kudo në botën demokratike. Bota përjetoi një ndër masakrat më të tmerrshme që ka ndodhur në Evropë në fund të shekullit XX. Kjo masakër ka dëshmitarë të gjallë që përjetuan llahtarinë e asaj dite. Përveç banorëve të mbijetuar, dëshmitë e të cilëve janë thelbësore për zbardhjen e autorëve të krimit, kjo masakër pati një kryedëshmitar i cili ndodhet me ne edhe në këtë përvjetor. Ambasadori William Walker”, u shpreh ajo.

Osmani tha se familjarët e viktimave të Reçakut dhe shteti i Kosovës janë në anën e të vërtetës, për të cilën tha se është përmbledhur më së miri në fjalitë e ambasadorit Walker.

“Thirrja për drejtësi për ta është në funksion të mbrojtjes së dinjitetit njerëzor të viktimave dhe familjeve të tyre. Kërkimi i drejtësisë nuk është thjeshtë një kërkesë, është detyrë e shenjë që kapërcen kufijtë, etnitë dhe përkatësitë politike. Familjet e të masakruarve meritojnë që autorët e këtij krimi kundër njerëzimit të dalin para drejtësisë. Ata dhe shteti ynë janë në anën e së vërtetës dhe kjo është e përmbledhur më së miri në fjalitë e ambasadorit Walker, në Recak ka ndodhur krim kundër njerëzimit”, tha ajo.

“Faktet janë më të fuqishme sesa propaganda e vazhdueshme serbe, e vërteta është gjithmonë më e fuqishme sesa gënjeshtra, ndaj për Reçakun ka vetëm një të vërtetë, më 1999 civilët janë vrarë mizorisht nga një regjim gjenocidal nga regjimi i Millosheviqit. Kjo e vërtetë ishte atëherë, është edhe sot dhe do të mbetet përherë e tillë, pavarësisht se sa tenton ta mohoj regjimi në vazhdimësi i Millosheviqit, ai i Vuçiqit”, tha ajo. /GazetaExpress/ KultPlus.com

Të ngjajshme