11 Shtator, 2023 - 3:32 pm
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në takimin vjetor të krerëve të shteteve të rajonit në kuadër të Procesit të Bërdo-Brionen, në sesionin e përbashkët ka mbajtur një fjalim, në të cilin ka theksuar se Kosova është e vendosur për të vazhduar me reforma dinamike që forcojnë më tej demokracinë, mbështesin sundimin e ligjit dhe rrisin standardet e jetesës për të gjithë qytetarët, pa dallim.
Përderisa aplikimi ynë për anëtarësim në Këshillin e Evropës po shqyrtohet nga Asambleja Parlamentare, është me rëndësi që Kosova të ecën përpara edhe me statusin e kandidatit në BE, në përputhje me zotimin e BE-së për perspektivë anëtarësimi për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Që nga takimi i fundit i këtij procesi, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka shënuar hapa të ndjeshëm suksesi në disa aspekte.
“Kosova është një partner i besueshëm, një fqinj i mirë dhe një partner që punon shumë. Prandaj, mundësia për një lëvizshmëri më të madhe të qytetarëve tanë në zonën Schengen, është gjithashtu një mundësi e madhe për t’ua vërtetuar këtë të gjithëve në BE”, ka theksuar Presidentja Osmani. Në këtë kontekst, ka përmendur edhe përparimin në indekset ndërkombëtare që kanë të bëjnë me luftimin e krimit dhe korrupsionit, të drejtat e njeriut, fushën e teknologjisë informative, etj.
Në një pjesë të fjalimit të saj, duke qenë edhe tema të takimit të sivjetëm të liderëve, Presidentja Osmani foli edhe për efektet e ndryshimeve klimatike dhe tha se Kosova është përcaktuar për ta ardhmen e gjelbër të saj. Presidentja tha se tranzicioni i gjelbër është mundësi e mirë për gjenerim të vendeve të punës, rritje të produktivitetit dhe sigurim të energjisë.
Ndërkaq në raport me perspektivën e të rinjve të Kosovës, Presidentja Osmani tha se më shumë se gjysma e popullsisë së Kosovës është nën 30 vjeç, ndaj sipas saj ndërtimi i një mjedisi ku mundësitë për zhvillim social dhe ekonomik janë lehtësisht të disponueshme, janë prioritet në mënyrë që ata ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në Kosovë. / KultPlus.com