18 Prill, 2025 - 3:52 pm
Në një ceremoni përkujtimore të mbajtur sot në fshatin Makoc të Prishtinës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar viktimat e masakrës së prillit 1999, duke theksuar se kjo ngjarje përfaqëson një nga plagët më të rënda në historinë e popullit shqiptar.
E shoqëruar nga familjarë të viktimave, deputetë të Kuvendit, përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë, Presidentja Osmani ka bërë thirrje për drejtësi të vonuar, por që sipas saj, nuk do të mungojë kurrë.
“Kemi ardhur këtu për të nderuar kujtimin e 115 jetëve të pafajshme, të shuar padrejtësisht nga makineria vrastare e regjimit serb. Ky vend është një testament i dhimbjes, por edhe i qëndresës sonë. Është një thirrje që nuk do të heshtë kurrë”, u shpreh Presidentja.
Gjatë fjalimit të saj, Osmani rikujtoi se në masakrën e Makocit nuk u kursye askush, nga Fortesa foshnja, e deri tek Hamidja 98-vjeçare, në një përpjekje çnjerëzore të regjimit për të zhdukur çdo gjurmë të qenies shqiptare.
“Por ajo që Serbia nuk arriti ta zhdukë, ishte shpirti i pathyeshëm i popullit tonë liridashës”, tha Presidentja para të pranishmëve, duke shtuar se themelet e Kosovës së sotme janë ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve.
Presidentja theksoi se Kosova sot është një shtet i lirë, i pavarur dhe aleate e denjë e shteteve demokratike, një arritje e madhe për një popull që kërkoi lirinë me çdo çmim./KultPlus.com