4 Shkurt, 2024 - 2:55 pm
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar ditët e tmerrit të 3-4 shkurtit të vitit 2000 në Mitrovicë, kur nga bandat kriminale serbe u vranë 10 civilë, 25 u plagosën, ndërkaq 1564 familje me 11364 anëtarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.
Postimi i plotë i Presidentes Osmani:
Në kujtim të dy netëve të tmerrit të 3-4 shkurtit të vitit 2000, në Mitrovicë, sot nderojmë jetët e humbura të 10 qytetarëve të pafajshëm, mes tyre pleq, gra dhe fëmijë, të cilët u vranë mizorisht nga bandat kriminale, të nxitura nga Serbia.
Respekt edhe për 25 të plagosur, të cilët mbijetuan dhe jetojnë ende me plagë fizike dhe emocionale nga nata e tmerrit.
1,564 familje me 11,364 anëtarë, të shpërngulur me forcë nga shtëpitë e tyre janë dëshmi e tendencës për spastrim etnik të kësaj pjesë të Mitrovicës nga grupet kriminale.
Ngjarjet e atyre dy netëve të tmerrit, shërbejnë si një kujtesë e trishtë e përpjekjes për mbijetesë dhe për ta mbrojtur lirinë e arritur me gjak e sakrificë.
Vënia e autorëve të krimit para drejtësisë është domosdoshmëri në funksion të paqes afatgjate!
Qoftë i përhershëm kujtimi për të vrarët më 3-4 shkurt 2000 në Mitrovicë!/KultPlus.com