25 Maj, 2022 - 12:32 pm
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ngushëlluar për 19 nxënësit dhe dy arsimtarët që u vranë dje në një shkollë fillore në shtetin e Teksasit në SHBA.
Ajo përmes një postimi në Twitter ka thënë se populli i Kosovës ndan dhimbjen me popullin amerikan.
“Të thyer nga lajmi për të shtënat në një shkollë në Teksas. Ngushëllimet tona për familjet e fëmijëve dhe të rriturve, jetët e të cilëve u morën padrejtësisht. Ne ndajmë dhimbjen e popullit amerikan dhe bashkëndiejmë me miqtë tanë në këtë kohë”.
Në nderim të viktimave, ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka ulur sot flamurin në gjysmështizë, pasi presidenti amerikan Joe Biden ka urdhëruar që flamujt e institucioneve amerikane të ulen në gjysmështizë.
Nxënësit dhe arsimtarët u qëlluan nga një 18-vjeçar në shkollën fillore Robb, në qytetin Uvalde. Sulmuesi u vra nga forcat e sigurisë, thanë zyrtarët.
Hetuesit thanë se sulmuesi kishte qenë i armatosur me një pistoletë, me një pushkë gjysmë-automatike të llojit AR-15 dhe kishte pasur karikatorë me kapacitet të lartë. Adoleshenti dyshohet se fillimisht ka qëlluar gjyshen e tij dhe më pas ka vazhduar sulmin. Mediat lokale raportuan se ai mund të ketë qenë nxënës i një shkolle të mesme në atë zonë.
Shefi i policisë për qarkun e pavarur të shkollës Uvalde, Pete Arredondo, tha se të shtënat kishin filluar në orën 11:32 sipas kohës lokale gjatë së martës dhe hetuesit besojnë se sulmuesi ka “vepruar i vetëm gjatë këtij akti të tmerrshëm”. / KultPlus.com