Presidentja Osmani niset për Mitrovicë: Po rikthehem në vendlindje, në qytetin e rock muzikës

14 Prill, 2022 - 12:23 pm

Presidentja Vjosa Osmani po vazhdon vizitat nëpër komunat e Kosovës, ndërkaq sot do ta vizitojë vendlindjen e saj, Mitrovicën.

Përmes një video-mesazhi që ka postuar në Facebook, shefja e shtetit tha se po shkon në qytetin e rock muzikës dhe qytetin e minatorëve, raporton Gazeta Express.

“Sapo i përfunduam aktivitetet në Prishtinë në shënimin e 14 prillit që i kushtohet të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Një ditë e rëndësishme për mijëra gra e burra që e kanë përjetuar ferrin gjatë luftës por e kanë shndërruar fuqinë e tyre dhimbjen e tyre në një zë të fuqishëm për vendin tonë. Po rikthehem në qytetin tim të lindjes, në qytetin e minatorëve, në qytetin e rock muzikës, në mënyrë që të dëgjojmë për së afërmi kërkesat e komunës por mbi të gjitha të qytetarëve të Mitrovicës”, tha ajo.

Osmani njoftoi se së bashku me kryetarin e Mitrovicës, Bedri Hamza, do të përkujtojnë masakrën në Lagjen e Kovaçëve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës.

“Do ta fillojmë ditën me takimin me kryetarin e Mitrovicës, do të shkojmë bashkë me kryetarin në Lagjen e Kovaçëve për të përkujtuar sot masakrën e forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë në këtë lagje dhe pastaj do të vazhdojmë me takime dhe vizita të tjera”, tha Osmani./ KultPlus.com

Të ngjajshme