Presidentja Osmani pas nënshkrimit të marrëveshjes me MCC-në: Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithnjë pranë Kosovës

28 Korrik, 2022 - 9:13 am

Në Kongresin e SHBA-ve, në prani të një numri të madh të miqve të Kosovës, u mbajt ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes me MCC-në për Programin e Kompaktit. Kjo marrëveshje po konsiderohet historike për shtetin tonë, përcjellë KultPlus.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka reaguar sot përmes një statusi në facebook ku është shprehur se kjo marrëveshje në shumë prej 236.7 milion dollarë, përbën investimin më të madh në sektorin e energjisë në Kosovë pas disa dekadash.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithnjë pranë Kosovës”, ka shkruar Osmani.  

Sipas Osmanit, këto projekte do të kontribuojnë në garantimin e stabilitetit dhe fleksibilitetit të sistemit energjetik të Kosovës gjersa përgatitemi për tranzicionin energjetik dhe integrim më të madh të burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

“Ky investim do të garantojë po ashtu një të ardhme energjetike ku gratë do të kenë rol kyç dhe do të jenë kontribuuese aktive në adresimin e sfidave të së ardhmes në fushën e energjisë.

Kjo marrëveshje konfirmoi edhe njëherë atë që dihet tashmë botërisht, partneritetin e jashtëzakonshëm e unik në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Faleminderit të gjithëve për punën e jashtëzakonshme!”, ka shkruar Osmani. / KultPlus.com

Të ngjajshme