Presidentja Osmani për Al Jazeeran: Kërcënimet sikur për Bosnjën nuk e ndalin Kosovën në synimet për t’iu bashkuar NATO-s

28 Mars, 2022 - 9:59 pm

Presidentja Vjosa Osmani, në një intervistë për “Al Jazeeran”, ka folur për ushtrinë e Kosovës. Osmani ka thënë se asgjë nuk do t’i ndalë synimet e Kosovës për t’iu bashkuar NATO-s, pasi thekson se do të sillte stabilitet e siguri për gjithë rajonin.

“Si presidente e shtetit më pro-NATO dhe më pro-Evropian në botë, më duhet të them se Rusia absolutisht do të vazhdojë me qasje të njëjtë të kërcënimit ndaj shteteve që zgjedhin rrugën euroatlantike, duke kërcënuar se do të veprojë si në Ukrainë”.

“Para disa ditëve ambasadori i Rusisë në Bosnjë tha se nëse Bosnja i bashkohet NATO-s atë e pret një gjë e ngjashme si Ukrainën. Është një kërcënim direkt jo vetëm për Bosnjën por gjithë shtetet në rajon apo mëtej, që kanë synim t’i bashkohen aleancës. Por, kjo nuk duhet të na ndalë që t’i bashkohemi NATO-s”.

“NATO nuk është thjeshtë makinë ushtarake, por është sistem i bazuar në vlera. Duam t’i bashkohemi për shkak të vlerave që paraqet, por edhe për shkak të sigurisë që do t’i sillte rajonit”, ka thënë Osmani.

Ajo ka shtuar se anëtarësimi i Shqipërisë, Malit të Zi e Maqedonisë së Veriut në NATO ka sjellë më tepër siguri për rajonin.

Po ashtu foli edhe për çështjen e Rusisë dhe ndërhyrjen në Ukrainë.

Ajo tha se nëse presidenti i Rusisë Vladimir Putin, lejohet të marrë atë që do, do të thotë se ky është fundi i demokracisë.

“Nëse ne e lejojmë Putinin që të merr atë që do, ky është fundi i demokracisë. Ky është fundi i rregullave të të drejtës ndërkombëtare. Për këtë arsye të gjithë së bashku vendet e mëdha dhe të vogla duhet që të punojnë së bashku që të ndalohet ajo se çka është duke bërë tani Rusia dhë të sigurohemi që regjimi i Putinit do të bjerë”, tha Osmani./Express/ KultPlus.com

Të ngjajshme