27 Tetor, 2021 - 2:43 pm
Sot vdiq regjisorja Burbuqe Berisha në moshën 51-vjeçare.
Për vdekjen e regjisores kanë reaguar figura të shumta publike, të cilën shprehën pikëllimin e ngushëllime për vdekjen e saj.
Ishte edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e cila përmes një statusi në faqen e saj zyrtare në rrjetin social Facebook ka theksuar se lajmin për vdekjen e regjisores Berisha e ka pranuar me pikëllim të thellë.
Ndër të tjera, Presidentja Osmani ka potencuar se Burbuqe Berisha përfaqëson një brez krijuesisht të cilët u formuan në kohë rezistencë dhe e zhvilluan krijimtarinë e tyre krahas kësaj rezistence.
Më poshtë gjeni statusin e plotë të Presidentes Osmani:
Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të regjisores Burbuqe Berisha. Vdekja e hershme e Buqes, sikur njihet ndër qarqet artistike, është humbje e madhe për artin, kulturën dhe kinematografinë e Kosovës.
Ajo përfaqëson një brez krijuesish, të cilët u formuan në kohë rezistence dhe e zhvilluan krijimtarinë e tyre krahas saj, duke e shndërruar artin në rezistencë e dëshmi.
Puna e saj prej regjisoreje në Teatrin Kombëtar, në teatrin “Faruk Begolli”, por edhe në teatro të tjera, mbetet vulë e fuqishme në zhvillimin e teatrit, por edhe të jetës kulturore përgjithësisht.
Krahas punës në teatër, Buqja ka dhënë kontribut të theksuar në edukimin e brezave të rinj, duke qenë pedagoge e respektuar.
Ndarja e saj nga jeta do të lërë zbrazëti të madhe në jetën tonë publike.
I përjetshëm qoftë kujtimi për të! / KultPlus.com