18 Tetor, 2023 - 3:45 pm
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ambasadoren e re jorezidente të Kanadasë në Kosovë, Jessica Blitt, me rastin e dorëzimit të letrave kredenciale. Presidentja Osmani e uroi ambasadoren për detyrën dhe shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e Kanadasë për Kosovën dhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm.
Ndërkaq, ambasadorja Blitt, shtoi se nga ana e saj do të ketë edhe angazhim më të madh në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët për të dy shtetet sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me fuqizimin e grave dhe barazinë gjinore, njofton Presidenca.
Në këtë takim, siç thuhet në njoftim, është konfirmuar gatishmëria për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit, si dhe angazhimi i përbashkët i avancimit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Presidentja, ndërkaq e njoftoi ambasadoren Blitt edhe për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë në vend, me ç’rast potencoi rëndësinë e madhe të vazhdimit të bashkëpunimit me aleatë, si dhe nevojën për të vënë autorët e aktit të agresionit të 24 shtatorit para përgjegjësisë.