Presidentja Osmani priti historianin Jusuf Buxhovi

30 Qershor, 2021 - 5:12 pm

E para e vendit e vlerësoi lart krijimtarinë letrare të Jusuf Buxhovit, si dhe kontributin e tij për studimin e historisë së Kosovës.

Sipas saj, librat studimorë të Buxhovit paraqesin kontribut të theksuar për njohjen e historisë së Kosovës, ndërkohë që shprehu konsideratën e saj edhe për qëndrimet prej intelektuali që Buxhovi i ka shprehur në vazhdimësi mbi të tashmen dhe të ardhmen e vendit.

“Kontributi i intelektualëve në promovimin e ideve për zhvillimin e kombit ështëë përherë i rëndësishëm, prandaj ne po kujdesemi që për çështje të mëdha për vendin ta marrim parasysh edhe qëndrimin e intelektualëve dhe të studiuesve tanë”, tha Presidentja Osmani.

Ajo shprehu bindjen se shoqëria duhet ta promovojë edhe më fuqishëm debatin intelektual si vlerë të shoqërisë. Sipas saj, roli i intelektualit në shoqëri është thelbësor për fuqizimin e vetëdijes mbi shtetin dhe forcimin e vetë shtetësisë së vendit tonë.

Studiuesi Jusuf Buxhovi e falënderoi presidenten Osmani për pritjen dhe ia shprehu gatishmërinë e tij dhe të intelektualëve të tjerë që të japin ide për fuqizimin e shtetit të Kosovës.

Në fund, Buxhovi ia dhuroi Presidentes Osmani disa nga librat e tij studimorë, përfshirë kompletin e librave “Kosova”, në gjuhën angleze./ KultPlus.com

Të ngjajshme