12 Janar, 2024 - 12:43 pm
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur sot se Republika jonë po hyn në një fazë të re dhe vendimtare të fuqizimit të kapaciteteve shtetërore të mbrojtjes. Kjo përfshinë zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës konform standardeve të NATO-s dhe thellimin e marrëdhënieve me partnerin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Presidentja tutje është shprehur e bindur se Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të mbështesë synimin e Kosovës për të blerë sisteme mbrojtëse armësh përmes programit FMS, si një akt i cili do ta rrisë sigurinë në Kosovë, në rajonin tonë, si dhe në kontinentin evropian.
Postimi i plotë i presidentes Osmani:
Republika jonë po hyn në një fazë të re dhe vendimtare të fuqizimit të kapaciteteve shtetërore të mbrojtjes. Kjo përfshinë zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës konform standardeve të NATO-s dhe thellimin e marrëdhënieve me partnerin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Si Presidente e Republikës dhe Komandante Supreme e FSK-së shprehë mirënjohjen time për institucionet tona të mbrojtjes të cilat për vite me radhë punuan për përmbushjen e kritereve për kualifikim në Programin e Shitjeve Ushtarake të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve.
Shpreh falënderim të veçantë për Sekretarin Blinken me të cilin kemi diskutuar mbi miratimin e programit të Shitjeve Ushtarake të Huaja (FMS) në korrik 2022, për Departamentin e Mbrojtjes së SHBA-ve dhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara, i cili tashmë është njoftuar zyrtarisht për synimin e Kosovës për të blerë sisteme mbrojtëse armësh përmes programit FMS.
Siç u tha në Deklaratën thelbësore të Qeverisë amerikane: “Kjo shitje e propozuar do t’i mbështesë qëllimet e politikës së jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian që është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë. Shitja e propozuar gjithashtu do ta rrisë kapacitetin afatgjatë mbrojtës të Kosovës për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial, si dhe për t`i përmbushur kërkesat shtetërore në sferën e mbrojtjes.”
Kam besim të plotë se Kongresi do ta mbështesë këtë shitje të mundshme për vendin më proamerikan në botë, si një akt i cili do ta rrisë sigurinë në Kosovë, në rajonin tonë, si dhe në kontinentin evropian. / KultPlus.com