19 Gusht, 2024 - 7:47 pm
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se hapja e urës së Ibrit në Mitrovicë duhet të bëhet në bazë të një plani me partnerët ndërkombëtarë.
“Duhet, siç e parasheh edhe vetë plani i zbatimit të marrëveshjes së arritur në gushtin e vitit 2016, të kemi vlerësime të përbashkëta të sigurisë me partnerët tanë, dhe pas atyre vlerësimeve dhe planit të përbashkët, ajo do të përcaktojë pastaj datën”, deklaroi presidentja Osmani.
Rihapja e urës për qarkullim edhe të automjeteve, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe, është kundërshtuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga serbët lokalë. Ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndodhen afër saj gjithashtu.
Vendet e QUINT-it, SHBA, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, e kanë quajtur të njëanshëm synimin e Qeverisë së Albin Kurtit për rihapjen në këtë kohë. Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që çështja e urës të diskutohet në dialog me Serbinë.
Ajo tha se “ura mbi lumin Ibër duhet të hapet dhe hapja e saj është vonuar për tetë vjet me radhë”.
“Çdo herë kur Kosova, në historinë e saj, ka bashkëpunuar me partnerët, çdo herë ka pasur sukses”, theksoi Osmani.
Ajo tha se lidhur me këtë çështje ka folur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, para një muaji.