26 Gusht, 2021 - 8:07 pm
Presidentja Vjosa Osmani dhe figura tjera të politikës, artit dhe kulturës kanë marrë pjesë sot në një akademi të organizuar nga Ipeshkvia e Kosovës me rastin e 111-vjetorit të lindjes së humanistes së madhe shqiptare Shën Nënë Tereza, e cila sivjet koincidon me 5-vjetorin e shenjtërimit të saj nga Papa Françesku.
Osmani ka thënë me këtë rast se Gonxhe Bojaxhiu është simbol i dashurisë, paqes dhe humanizmit, e cila u shndërrua në simbol të përfaqësimit të popullit shqiptar duke kthyer vëmendjen e botës.
“Nënë Tereza paraqet njërin nga personalitetet më të shquara kombëtare. Ajo shpalosi vlerat më të mira të kombit dhe i shndërroi në vlera të gjithë njerëzimit. Ne duhet të mësojmë çdo ditë nga dashuria e saj për njerëzit. Nuk mund t’ua mbyllim derën të varfërve dhe ne nuk do të mund t’iu mbyllim, ashtu siç ka thëne presidenti Rugova se “shtëpia jonë është edhe e mikut””, tha Osmani.
Ndërsa, Ipeshkvi Dodë Gjergji tha se tani është koha që të ndërtohet vetja, e për këtë sipas tij, frymëzim duhet të jetë Nënë Tereza.
“Ne gjithë mburremi që ajo ka qenë shqiptare. Të gjithë do t’ia kthejmë nderin nëse do të bëhemi si ajo. Nënë Tereza e shihte Krishtin, sepse njeriu vetëm në pasqyrë e sheh vetën e vet. Ne nuk mund ta ndërtojmë vetveten duke bërë sakrifica të mëdha. Por të gjithë siç thoshte Nënë Tereza mund të bëjmë punë të vogla me dashuri të madhe, sepse dashuria është vepër që ndërton paqen”, u shpreh ai.
“Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë e luti Zotin që paqja e tij të vijë në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Luti shumë për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Unë lutem për juve”, këto janë fjalët e Shën Nënë Terezës që i kujtojmë në përvjetorin e ditëlindjes së saj.
Nobelistja shqiptare Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë u lind më 26 gusht 1910 në Shkup, atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Pasi kishte jetuar në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.
Nënë Tereza themeloi Misionarët e Bamirësisë, një kongregacion fetar i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 shtete.
Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay dhe 1979 Çmimin Nobel për Paqe. Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”. Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet e shenjt nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj (5 shtator), ku njihet edhe si dita e saj e festës./KultPlus.com