Presidentja Osmani shpërndanë 400 pako onkologjike për të prekurit me kancerin e gjirit

31 Tetor, 2023 - 4:48 pm

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar sot (e marte) Klinikën e Onkologjisë në QKUK, ku ka dhuruar 400 pako onkologjike për të prekurit me kancerin e gjirit. Me këtë rast u tha se në vendin tonë është bërë shumë që të ngritet vetëdija për zbulimin e hershëm të kësaj sëmundjeje.

Osmani falënderoi stafin e kësaj klinike për punën e tyre, përderisa tha se përkrahja institucionale nuk do të mungojë. Osmani shtoi se me investimet e bëra në këtë Klinikë janë përmirësuar dhe janë eliminuar një numër i madh i pengesave dhe se një numri i kërkesave veçse janë përmbushur. Kjo pako është dhuruar që gratë e prekura nga kanceri të kenë sado pak lehtësim.

Por sipas saj, ka ende për t’u bërë në mënyrë që të përmbushen nevojat e pacientëve.

Ajo bëri thirrje për të gjitha gratë dhe vajzat që të bëjnë mamografinë sepse siç tha ajo, zbulimi i hershëm shpëton shumë jetë.

“Ne jemi sot këtu së bashku me stafin e Klinikës dhe znj. Nafije për të dorëzuar 400 pako onkologjike, në fund të muajit tetor, i cili njihet edhe si muaji rozë, për të nderuar të gjitha ato që fatkeqësisht i kemi humbur nga sëmundja e kancerit të gjirit por edhe për të iu dhënë mbështetje të gjitha atyre të cilat po përballen me këtë sëmundje të tmerrshme, por e cila mund të parandalohet nëse zbulohet herët… Për fat të mirë ende po vazhdojnë investimet në këtë klinikë, ende po rritet numri i barnave, të cilat edhe mbulohen nga institucionet e Kosovës në këtë klinikë. Natyrshëm që ka ende nevojë që të investohet, në mënyrë që të përmbushen të gjitha nevojat e pacientëve, dhe kjo do të bëhet gradualisht, por tani me investimet që janë bërë janë eliminuar një numër i madh i pengesave, qoftë sa i përket aparaturës që i nevojitet, qoftë sa i përket numrit të shtretërve, të gjitha këto duhet të shtohen. Por në qoftë se e krahasojmë me vitin e kaluar, kur isha këtu një numër i madh i këtyre pengesave dhe barrierave janë eliminuar , dhe një numër i madh i këtyre kërkesave veçse janë përmbushur”, tha Osmani.

Gjithashtu Osmani shtoi se qëllimi i tyre është për pacientët që tejkalojnë shumë probleme dhe dhimbje fizike, që të mos kenë edhe dhimbje shpirtërore të cilat fatkeqësisht ua shkakton kjo sëmundje e tmerrshme.

Ndërsa drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi tha se Klinika e Onkologjisë ka shënuar progres dhe po bën një punë të jashtëzakonshme në trajtimin e pacientëve me sëmundje malinje.

“Edhe pse duket simbolike, ka impakt edhe në aspektin psikologjik por edhe atë fizik të pacientëve tonë… 05:10 Klinika e Onkologjisë ka shënuar progres dhe vazhdon të bëjë një punë të jashtëzakonshme në trajtimin e pacientëve me sëmundje malinje, jo vetëm të gjirit por në të gjitha format e sëmundjeve. Vetë fakti se sot është dita e fundit kur përmbyllet muaji rozë, në Kosovë është bërë shumë këtë muaj që të ngritet vetëdija, janë bërë tubime të ndryshme dhe kjo ka kulmuar që ne sot të gjejmë në Kosovë raste të reja për femra të reja të sëmura me kancer të gjirit në staza më të hershme. Vetë fakti se ne kemi regjistruar brenda 9 muajve të parë kemi regjistruar rreth 332 femra të prekura me kancer të gjirit”, tha Kurtishi.

Ndërkaq Nafije Latifi, drejtoreshë e shoqatës “Jeta Vita”, tha se kjo është një përkrahje e jashtëzakonshme për gratë që po trajtohen si pasojë e kësaj sëmundjeje.

“Sot po shpërndajmë 400 pako onkologjike të cilat janë donacion i presidentes dhe kjo është një përkrahje e jashtëzakonshme për gratë të cilat po trajtohen nga kanceri i gjirit, që përveç problemeve me sëmundjen të mos kenë probleme psikike me pamje e me dukje, me nevojën për t’i siguruar ato, me mjetet e tyre… Shpresoj që të do të kemi kushte më të mira për trajtim, me renovimin e ndërtesës, me zgjerimin e listës esenciale të barnave e tjera”, tha Latifi./rtv21/KultPlus.com

Të ngjajshme