Presidentja Osmani: Sot shprehëm mirënjohjen e popullit të Kosovës për partneritetin tonë me Mbretërinë e Bashkuar

19 Shtator, 2022 - 9:39 pm

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot është prezente në Funeralin Shtetëror të Mbretëreshës Elizabeth II, shkruan KultPlus.

Me këtë rast ajo nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka thënë se në homazhet e mbajtura në Westminster Hall, si dhe në Librin e Zisë të hapur në Lancaster House, është kujtuar dedikimi i palëkundur ndaj popullit, urtësinë dhe bujarinë e Mbretëreshës, të cilat sipas saj, do të vazhdojnë t’i frymëzojnë brezat e ardhshëm.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të saj:

Përgjatë këtyre dy ditëve, ju bashkuam anëtarëve të Familjes Mbretërore të Mbretërisë së Bashkuar dhe liderëve nga mbarë bota për ta nderuar trashëgiminë historike të Mbretëreshës Elizabeth II.

Në homazhet e mbajtura në Westminster Hall, si dhe në Librin e Zisë të hapur në Lancaster House, kujtuam dedikimin e palëkundur ndaj popullit, urtësinë dhe bujarinë e Mbretëreshës, të cilat do të vazhdojnë t’i frymëzojnë brezat e ardhshëm.

Në pritjen e organizuar mbrëmë nga Mbreti Charles III në Buckingham Palace, si dhe në pritjen e organizuar sot nga Sekretari i Jashtëm James Cleverly, shprehëm mirënjohjen e popullit të Kosovës për partneritetin në mes të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilin jemi të përkushtuar ta forcojmë tutje gjatë viteve në vijim.

Ndërsa sot, në Funeralin Shtetëror në Westminster Abbey, i dhamë lamtumirën e fundit Mbretëreshës, duke i nderuar virtytet dhe veprën e saj për të cilat do të kujtohet përherë. Pusho në paqe Mbretëreshë! 🇽🇰🇬🇧

Fotot nga funerali: RFEL/AP / KultPlus.com

Të ngjajshme