Presidentja Osmani takohet me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, biseduan për bashkëpunim dhe shkëmbime përvojash mes dy parlamenteve

4 Shtator, 2023 - 5:32 pm

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është pritur në takim nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, shkruan KultPlus.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjersa po qëndron në një vizitë zyrtare dy ditore në Shqipëri, ka zhvilluar një takim me kryetaren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe përfaqësuesit e partive politike në Kuvendin e Shqipërisë.

“Sipas Presidentes Osmani, diplomacia parlamentare ka rol jetik në promovimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani dhe kryeparlamentarja Nikolla, diskutuan edhe për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet organeve legjislative të të dy shteteve si dhe shkëmbimit të përvojave e kapaciteteve”, thuhet në komunikatë.

Në njoftim po ashtu thuhet se sipas Presidentes Osmani, ekziston përkushtim i përbashkët për avancimin e interesave të Kosovës dhe Shqipërisë, duke rritur koordinimin dhe bashkërendimin në fushën e politikës së jashtme.

“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani shtroi nevojën e vazhdimit të përkrahjes së delegacionit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare e Këshillit të Evropës për përfundimin me sukses të trajtimit të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë”, thuhet në komunikatë.

Për Presidenten Osmani integrimi euroatlantik është synimi i përbashkët i të dy vendeve./KultPlus.com

Të ngjajshme