29 Nëntor, 2023 - 7:56 pm
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, sfidat e sigurisë në rajon si dhe për dialogun Kosovë-Serbi.
Në takim u diskutua edhe për integrimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës, si dhe anëtarësimin në NATO. Presidentja Osmani potencoi se anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të ishte hap i rëndësishëm për fuqizimin dhe avancimin e mëtejmë të të drejtave të njeriut nëpërmjet mekanizmave që i ofron Këshilli, e të cilat do të shërbejnë si mekanizëm shtesë për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim.
Presidentja Osmani ritheksoi edhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke filluar me përfshirjen në Partneritetin për Paqe. Në këtë frymë, Presidentja Osmani tha se ky hap është i domosdoshëm për të siguruar paqe dhe siguri afatgjate në rajon dhe më gjerë.
Në takim, Lord Peach përgëzoi Presidenten Osmani për përpjekjet e saj të vazhdueshme në avancimin e agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë në këtë kohë sfiduese për paqen në botë./ KultPlus.com