18 Shtator, 2023 - 1:41 pm
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, nën organizimin e aktivistit të mërgatës shqiptare dhe shërbimeve filantropike, z. Mark Gjonaj, ka takuar një grup të organizatave të komunitetit shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Presheva, Medvegja, Bujanovci dhe Mali i Zi, të cilat veprojnë në SHBA.
Sipas Presidentes Osmani, ky takim me mërgatën shqiptare është dëshmi e lidhjeve të forta dhe të qëndrueshme ndërmjet popullit të Kosovës, si dhe komunitetit shqiptar në përgjithësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani, ka falënderuar komunitetin shqiptar, i cili përveç se në forcimin e lidhjeve të Kosovës me SHBA-të, ka ndihmuar shtetin e Kosovës në procesin e lirisë, pavarëssisë dhe shtetndërtimit.
“Ju jeni forca shtytëse e shumë proceseve nëpër të cilat ka kaluar Kosova. Liria dhe shteti jonë, janë rezultat edhe i angazhimit të vazhdueshëm të mërgatës sonë këtu, ndaj faleminderit për gjithçka që keni bërë dhe po bëni. Na duhet edhe mëtej angazhimi juaj. Kosova ka nevojë për mbështetjen tuaj dhe të SHBA-ve. E di që nuk hezitoni, ndaj presim që bashkërisht, pa dallim të angazhohemi që ta fuqizojmë shtetin tonë, krahas mbështetjes dhe koordinimit me aleatat tanë”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Më tej, Presidentja Osmani shtroi nevojën e ruajtjes dhe promovimit të kulturës dhe trashëgimisë sonë në Shtetet e Bashkuara, për të cilën gjë tha se rol më rëndësi luajnë shoqatat, të cilat i grumbullojnë shqiptarët.
Në bashkëbisedim me mërgatën, Presidentja Osmani tha se Kosova pret mbështetjen e tyre edhe në fushën e investimeve. Sipas Presidentes Osmani, në Kosovë tashmë është krijuar një klimë e përshtatshme për investime, ndaj investimet nga mërgata janë të mirëseardhura.
Ndërkaq përfaqësues të shoqatave që grumbullojnë shqiptarët në SHBA, falënderuan Presidenten Osmani për takimin dhe shprehën mbështetjen e palëkundur për Kosovën dhe përkushtimin për të ndihmuar iniciativa të ndryshme, të cilat synojnë zhvillimin dhe mirëqenien e shtetit. / KultPlus.com