17 Qershor, 2022 - 1:01 pm
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në Forumin e Prespës në Ohër të Maqedonisë së Veriut ka takuar të dërguarit e posaçëm për Ballkanin Perëndimor të Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, të Mbretërisë së Bashkuar, Stuart Peach dhe të Gjermanisë, Manuel Sarrazin.
Në takim me tre të dërguarit e posaçëm, Presidentja Osmani ka përsëritur se integrimi i Kosovës dhe vendeve të tjera demokratike të rajonit në strukturat euro-atlantike është përgjigja e vetme për ta parandaluar agjendën destablizuese dhe ndikimin keqdashës të Rusisë dhe satelitëve të saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Prandaj, angazhimi i partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor është hapi i duhur drejt rienergjizimit të procesit integrues, i cili siguron paqen e qëndrueshme, sigurinë dhe demokracinë në rajonin tonë”, ka theksuar ndër të tjera, Presidentja Osmani në takim me të dërguarit e posaçëm për Ballkanin Perëndimor të ShBA-së, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë. Me ftesë të Presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, Presidentja Osmani po merr pjesë në Forumin e Prespës për Dialog me temë: Formësimi i të ardhmes së Ballkanit Perëndimor në arkitekturën bashkëkohore evropiane të sigurisë, i cili po zhvillon punimet nga data 16 deri 18 qershor në Ohër. / KultPlus.com