24 Shkurt, 2024 - 10:00 am
Presidentja Vjosa Osmani u ka bërë thirrje institucioneve të vendit që t’i ruajnë marrëdhëniet me aleatët e Kosovës. Ajo tha se për çështjen e dinarit nuk duhet të diskutohet me palën serbe në Bruksel, por zgjidhja sipas saj duhet të gjendet brenda Kosovës. Ndërkohë, BE-ja ka konfirmuar se ftesat për takim i janë dërguar palëve. Qeveria ka refuzuar të marr pjesë në takim.
Përplasjet e fundit të Qeverisë së Kosovës me SHBA-të dhe BE-në kanë ngjallur reagimin e presidentes Vjosa Osmani e cila i ka inkurajuar të gjitha institucionet e vendit që të bëjnë çmos në ruajtjen e raporteve me aleatët sidomos me SHBA-të. Sipas presidentes, Kosova ka probleme të mëdha të sigurisë me Serbinë prandaj, siç vlerësoi, vendit i duhen aleancat.
“Kosova nuk mund të ecë përpara vetë. Nëse dëshirojmë të ecim përpara si shtet këtë duhet ta bëjmë së bashku me aleatët. Edhe kushtetuta edhe aleatët”, ka thënë Osmani.
Por, e para e shtetit i ka dhënë të drejtë Qeverisë se për çështjen e dinarit nuk duhet të diskutohet në Bruksel me palën serbe. Për këtë tha se mund të gjendet një zgjidhje praktike. Kritikoi BE-në se rol jo balancues në proces të dialogut.
“Çështja e dianrit duhet të zgjidhet këtu në Kosovë. Kjo nuk do të duhet të shkaktonte përplasje me aleatët. Nëse ka vullnet me një takim midis institucioneve relevante do të dalin me një propozim konkret për rregulloren e BQK-së”, ka deklaruar ajo.
Pavarësisht se Qeveria përmes kryenegociatorit Bislimi ka refuzuar takimin në Bruksel me palën serbe ku do të flitej për dinarin, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, konfirmoi se ftesat i janë dërguar palëve për këtë takim i cili është paraparë të mbahet javën e ardhshme.
“Kemi dërguar ftesat për partnerët tanë për t’u marr me çështje të caktuara dhe e kemi spjeguar në thellësi këtë gjatë ditës së djeshme. Tani shpresojmë se të dyja palët do të mund të pajtohen me këtë dhe të zgjidhin çështjen që është shkaktuar nga një vendim i pafat dhe pa konsultime nga njëra palë që ka ndikuar tek pala tjetër. Ky është roli ynë si lehtësues. Ne nuk jemi komentues dhe të themi se cfarë po bëjmë, por po provojmë që të ndihmojmë partnerët që të gjejnë zgjidhje. Ne asnjëherë nuk spekulojmë rreth skenarëve “çka nëse”. Ne kemi dërguar ftesat, kemi vënë objektivat dhe kemi deklaruar përgatitjen tonë për të ndihmuar palët që të gjejnë zgjidhje”, ka thënë Stano të premten.
I dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajëak, ka paralajmëruar hapa të ri në muajt të ardhshëm në proces të dialogut. Për këtë hapa presidentja Osmani tha se është e njoftuar nga vet Lajçak, për të cilin tha se mund të mos jetë më ndërmjetësues pas zgjedhjeve në BE.
“Në procesin e dialogut janë disa muaj vendimtarë sepse në maj janë zgjedhjet në BE, pas zgjedhjeve në BE do të kemi komisionerë të rinj, zyrtarë të rinj, që do ta marrin përsipër procesin e dialogut. Sipas të gjitha gjasave edhe ndërmjetësues të ri, nga ajo që më është thënë nga Lajçak, i cili e ka mandatin deri diku në gusht”, ka thënë presidentja.
Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimin, ka refuzuar të marrë pjesë në takimin e thirru nga BE-ja për çështjen e dinarit, duke kritikuar ndërmjetësin e dialogut Miroslav Lajçak për shkelje të parimeve të tij cili sipas tij, kishte deklaruar se pa pajtim paraprak nga palët nuk mund të përcaktohet agjenda. /KultPlus.com