Presidentja Osmani udhëton në SHBA, ftohet të marrë pjesë në varrimin e Sekretares Albright

19 Prill, 2022 - 8:33 pm

Madeleine Albright, gruaja e parë sekretare e shtetit të SHBA, e cila ndihmoi në drejtimin e politikës së jashtme perëndimore pas Luftës së Ftohtë, ka vdekur në moshën 84 vjeçare më 24 mars të këtij viti, shkruan KultPlus.

Vdekja e saj u konfirmua në një email drejtuar stafit të Albright Stonebridge Group, një firmë strategjike globale e themeluar nga Albright. Ndërkaq, në fillim të javës që vjen do të bëhet edhe varrimi i Sekretares Albright ku e pranishme do të jetë edhe Presidentja Vjosa Osmani.

Lajmin për KultPlus e bëri të ditur këshilltari për media, Bekim Kupina, i cili thotë se Presidentja Osmani do të marrë pjesë me ftesë të familjes Albright.

“Presidentja Osmani do të udhëtoj për SHBA në fillim të javës që vjen për të marrë pjesë në varrim të Sekretares Albright, me ftesë të familjes Albright, si dhe për disa takime të tjera”, ka thënë Kupina për KultPlus.

Madeleine Albright ishte një figurë qendrore në administratën e Presidentit Bill Clinton, së pari shërbeu si ambasadore e SHBA-se në Kombet e Bashkuara përpara se të bëhej diplomatja më e lartë e vendit në mandatin e saj të dytë.

Albright konsiderohet si një mike e madhe e Kosovës dhe kontributi i saj ishte i madh, sidomos gjatë kohës së luftës. / KultPlus.com

Të ngjajshme