17 Shtator, 2023 - 2:33 pm
Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka udhëtuar për në NewYork, ku pritet të zhvillojë takime me liderë botërorë në kuadër të sesionit të 78-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, shkruan KultPlus.
Përmes këtyre takimeve me homologët e saj, Presidentja Osmani pritet të flasë për zhvillimet e fundit në Kosovë, për synimet e Kosovës për krijimin e raporteve me shtetet anëtare të OKB-së dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Në një komunikatë nga presidenca thuhet se presidentja së bashku me Zotërinë e Parë është ftuar nga presidenti i SHBA-ve Joe Biden, përderisa një takim me këtë të fundit e ka organizuar edhe Zonja e Parë e SHBA-ve, Jill Biden.
“Presidentja është ftuar së bashku me Zotërinë e Parë, Prindon Sadriu, që të marrin pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden.
Ndërkaq, Zotëria i Parë, gjithashtu është ftuar të marrë pjesë në një pritje të veçantë, të organizuar nga Zonja e Parë e SHBA-ve, Jill Biden”, thuhet në komunikatë.
Presidenta poashtu do të marrë pjesë edhe në aktivitete e diskutime të shumta të organizuara nga shtetet aleate, do të mbajë diskutime në disa nga universitetet dhe institucionet më prestigjioze në SHBA.
Në agjendën e Presidentes Osmani do të jenë edhe një sërë aktivitetesh të përbashkëta me mërgatën shqiptare në Amerikë si dhe disa nga shoqatat të cilat e zhvillojnë aktivitet në SHBA./KultPlus.com