19 Mars, 2025 - 12:30 pm
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes rrjeteve sociale është shprehur se “World Forum” mblodhi në Berlin kampionë global të demokracisë, pikërisht aty ku para 35 viteve rënia e Murit të Berlinit shënoi një moment përcaktues për demokracinë në mbarë botën.
“Demokracia është një nga arritjet më të mëdha të njerëzimit, por nuk është e vetëqëndrueshme, ajo është vepër e çdo brezi, e ndërtuar dhe e forcuar ditë pas dite”, u shpreh Osmani.
Osmani shtoi se demokracia për ne nuk është vetëm njëra nga opsionet, por është opsioni i vetëm, sepse dihet se çfarë sjell mungesa e saj.
“Në Kosovë, këtë e kuptojmë më së miri. Demokracia për ne nuk është vetëm njëra nga opcionet- është opcioni i vetëm, sepse e dijmë se çfarë sjell mungesa e saj – shkatërrim, vuajtje dhe humbje jete. Prandaj, populli ynë, mbetet i palëkundur në përkushtimin ndaj vlerave demokratike”, ka shtuar Osmani./KultPlus.com