31 Janar, 2023 - 6:15 pm
Sot janë bërë 26 vite pa Zahir Pajazitin, njërin ndër komandantët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), shkruan KultPlus.
Pajaziti lindi më 1 Nëntor 1962 në fshatin Orllan të Komunës së Podujevës dhe ra dëshmorë më 31 Janar 1997 në fshatin Pestovë të Komunës së Vushtrrisë, pasi ra në një pritë të organizuar nga forcat serbe. Ai njihet si Pushka e Parë e Lirisë dhe pas përfundimit të luftës, ai u shpall Hero i Kosovës.
Sot, në këtë përvjetorë të 26-të, në sheshin që mban emrin e tij, presidentja e vendit dhe kryeministri bashkë me ministra të tjerë, kanë bërë homazhe te përmendorja e tij në Prishtinë.
Presidentja Vjosa Osmani është shprehur se këta heronj do të jenë gjithnjë në zemrën dhe kujtesën e secilit.
“26 vjet më parë që prej se lajmëtarët e lirisë, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha e fituan përjetësinë duke u bërë heronjtë e Kosovës dhe frymëzuesit e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit.
Ata mbrojtën dinjitetin, kthyen shpresën, i dhanë shtytje realizimit të idealit të brezave për liri dhe pavarësi, ndaj do të kujtohen çdoherë me nder e respekt. Emrat e tyre do të jenë gjithnjë në zemrën dhe kujtesën e secilit”, thuhet në postimin e saj. / KultPlus.com