Presidentja Vjosa Osmani për Kadarenë: Lamtumirë titani i letërsisë, liria e Kosovës për të ishte triumfi i kombit shqiptar

3 Korrik, 2024 - 4:25 pm

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka qenë sot e pranishme në ceremoninë shtetërore të homazheve dhe varrimit të Ismail Kadaresë.

Përmes një statusi në rrjete sociale, Osmani ka ndarë fotografi nga pjesëmarrja teksa shkruan se veprat e Kadaresë ndriçuan cepat më të errët të historisë dhe shpirtit njerëzor.

Më tej Osmani shprehet se aftësia e tij për të ndërthurur mitet dhe realitetin e bëri një nga më të veçantët dhe të fuqishmit në letërsinë bashkëhore.

“Aftësia e tij për të gërshetuar historinë, mitet dhe realitetin, e bëri zërin e tij një nga më të veçantët dhe më të fuqishmit në letërsinë bashkëkohore. Prandaj, jemi përgjithmonë mirënjohës për veprat që na la. Liria e Kosovës për të ishte triumfi i kombit shqiptar. Ndërkaq, për kombin shqiptar, vetë ekzistenca dhe vepra e Ismail Kadaresë është triumf i kulturës mbi injorancën dhe i lirisë mbi diktaturën. Lamtumirë, titani i letërsisë, Ismail Kadare!’’, shkruan Osmani./KultPlus

Të ngjajshme