21 Shkurt, 2021 - 10:46 pm
Kosova nuk ka det për turizëm veror, por malet që gjithnjë e më shumë po ringjallin turizmin dimëror. Një prej këtyre destinacioneve shqiptare është edhe Prevallë, shumë afër Prizrenit.
E ndodhur vetëm 28 km nga Prizreni dhe 12 km nga Brezovica, një tjetër atraksion turistik i Kosovës, është një fshat unik atraktiv, ka një pistë skijimi por mbi të gjitha ndodhet në malet e bukura të Sharrit.
Fshati kufizohet me një pyll të madh. Gjatë verës, është një destinacion i përshtatshëm për rekreacion dhe pushim, ndërsa gjatë dimrit për sportet dimërore sezonale. Ajo shtrihet 1800 m mbi nivelin e detit. Prevalla ndodhet në jug të Kosovës në Malet e Sharrit, në rrugën e cila shkon nga Prizreni nëpërmjet Prevallës në drejtim të Shtërpcës. Prevalla është pjesë e Parkut Kombëtar Malet e Sharrit.
Turistët e vizitojnë fshatin e shtrirë mes maleve me makinat e tyre, por edhe me agjenci turistike, ku qëndrojnë një ditë ose dy ditë. Madje së fundmi Prevallë rekomandohet dhe për turizëm shëndetësor pasi terreni, peizazhet e mrekullueshme dhe ajri i freskët mes pishave, i cili thuhet se është shërues, e bëjnë një prej zonave më të jashtëzakonshme për hiking dhe ecje./ KultPlus.com