16 Dhjetor, 2021 - 7:53 pm
Drejtoria e Përgjithshme të Arkivave, promovoi të mërkurën punën e bërë për ambientet e reja, në Vendruajtjen e Arkivave në Shkozë. Në këtë kompleks arkivor ruhet historia, dokumente e materiale për historiografinë shqiptare, për çdo studiues e historian, për të cilët këto arkiva janë burim i punës së tyre.
Mjediset e reja të këtij komplesi arkivor, ku ruhet e kaluara, tashmë janë shndërruar në ambiente bashkëkohore.
Në këtë aktivitet të pranishëm ishin punonjësit e Drejtorisë, ish-punonjës, studiues dhe mjaft bashkëpunëtorë. Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave z. Ardit Bido, foli për punën e bërë, e më pas për një fjalë përshëndetëse u ftuan edhe studiuesja dhe historiana znj. Valentina Duka, ish-drejtori i DPA z. Gjetë Ndoj, ish-drejtoresha e AQSH-së znj.Kalipoi Naska, kryeshefi i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës z. Bedri Zyberaj si dhe drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup z. Skënder Asani.
Veç prezantimit fizik të objektit për të gjithë të ftuarit u shfaq edhe një video e shkurtër për punën e bërë në kompleksin arkivor, jo vetëm të Shkozës, por edhe në qytete të tjera, disa prej të cilave janë ende në fazë rikonstruksioni./KultPlus.com