Prezantohet libri “Vallëzim me Hënën” i shkrimtarit Namik Dokle

18 Prill, 2024 - 5:03 pm

Në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë është bërë prezantimi i librit të politikanit Namik Dokle, “Vallëzim me Hënën” (Legjendat e Gorës).

Kanë qenë të pranishëm politikanë, kolegë të autorit, akademikë, botues etj.

Në promovimin e “Vallëzim me Hënën”, ishte e pranishme edhe Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, e cila ndau në rrjetet sociale një album fotografik nga aktiviteti, duke shkruar se libri më i ri i mikut dhe kolegut të saj, sjell për lexuesin legjendat e Gorës së Namikut.

“Sa bukur! Gora, ky vend plot shkëmbinj, malor dhe i ashpër për nga natyra, ka një pasuri të jashtëzakonshme shpirtërore, lirike, që i këndon jetës, njerëzve, vajzave, dashurisë, ëndrrave, pasioneve, ndjenjave të holla të banorëve të saj, lidhjeve të tyre me vendlindjen,tokën, malet, yjet, zogjtë dhe qiellin”, shkroi Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Namik Dokle lindi më 11 mars të vitit 1946 në Durrës. U diplomua në Universitetin Bujqësor, dega Ekonomi Agrare (1965-1970) si dhe në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Gazetarisë (1968-1970).

Më 1994 ai ndoqi një kurs specializimi për gjuhën dhe kulturën spanjolle në Universitetin Complutense, Madrid. Më 1995 u specializua pranë Këshillit të Europës për Problemet Parlamentare, Strasburg dhe më 1997 ndoqi një kurs specializimi për problemet e tranzicionit në Madrid.

Gjatë viteve 1970-1983 punoi si gazetar e me pas si kryeredaktor në redaksinë e gazetës “Puna”; 1991: kryeredaktor i gazetës “Zëri i Popullit”. Gjithashtu ai ka edhe një veprimtari të gjerë politike që prej vitit 1991.

Ka botuar librat: “Ditët e lakuriqëve të natës”, “Lulet e skajbotës”, “Dënimi i dytë i Homerit”, “Shën Maria e Beratit”, “Vajzat e mjegullës”, “Dhjetë gramë nder”, etj.

Promovimi i librit te Namik Dokles, fotot nga Agim Dobi./KuktPlus.com

Të ngjajshme