Prezantohet programi shtetëror ‘Sport në Shkolla’, 10 mijë nxënës pritet të jenë aktiv në aktivitete sportive

14 Nëntor, 2023 - 7:21 pm

MKRS në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Federatën Sportive kanë hartuar programin “Sport në Shkolla”, përmes së cilit synohet krijimi i mundësive që të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar në Kosovë, të jenë pjesëmarrës të rregullt në sport dhe aktivitete fizike, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në facebook, MKRS ka thënë se vlerat që i promovon sporti dhe aftësitë që i zhvillon aktiviteti fizik, janë direkt të ndërlidhura me sektorin e edukimit dhe shëndetit.

“Ministri Çeku theksoi vizionin e Qeverisë për sportin dhe hapat konkret të ndërmarrur për fuqizimin e mëtejmë të sportit elitar, si trefishimi i mbështetjes financiare të sportit garues, krijimi i standardeve të reja për zhvillimin e veprimtarisë sportive përmes reformës së kornizës ligjore si dhe prioritizimi i mbështjes së organizimit të ngjarjeve sportive ndërkombëtare në Kosovë me qëllim të shndërrimit të sportit në sektor me ndikim në zhvillimin ekonomik të vendit.

Dren Marseli, menaxher i programit “Sport në Shkolla” shpalosi komponentët që do të zbatohen në vitin shkollor 2023/2024, ku rreth 10300 nxënës të 23 komunave do të kenë mundësinë të jenë aktiv në aktivitetet sportive të përfshira në program”, thuhet në postimin e MKRS.

Në këtë prezantim të programit morën pjesë ministri Hajrulla Çeku, së bashku me zëvendësministren Daulina Osmani, Avni Rexha, përfaqësues nga MASHTI, krerët e FSSHK-së, drejtorët e DKRS-ve të komunave të Kosovës dhe të Departamentit të Sportit./KultPlus.com

Të ngjajshme