22 Qershor, 2020 - 7:08 pm
Personazhet publike kudo në botë janë ndër më të atakuarit kur vjen puna tek pamja e jashtme, stili i veshjes, detajet në look-un e tyre, gjithçka tërheq vëmendjen e fansave dhe njerëzve të shumtë që i ndjekin! Shpesh, rrjetet sociale kthehen në një sulm ndaj këtyre protagonistëve, që në raste të caktuara zgjedhin që përgjigjet e tyre t’i bëjnë publike, e jo vetëm! Krahas tyre, ato japin mesazhet e forta në një shoqëri që shpesh bullizmin e ka vlerësimin e parë për çdokënd, qoftë ky individ me status publik apo krejt i panjohur!
“Shënjestra” e radhës është Heather Parisi, prezantuesja ikonë italiane! Në një postim të fundit të saj në rrjetet sociale, ajo është përballuar me komente nga më të shumta të ndjekësve virtual, e mes tyre dallon ai që i thotë se sa shumë është plakur…Dhe ta mendosh që është mesazh nga një grua për një tjetër grua si Parisi! Ju mendoni se prezantuesja e famshme është irrituar apo i ka kthyer ndonjë përgjigje ofenduese? Përkundrazi! Me shumë maturi, Heather shkroi publikisht një mesazh që tashmë ka bërë xhiron e mediave dhe portaleve në botë.
Ajo shkruan: “Ti ke të drejtë! Fytyra dhe trupi im kanë ndryshuar shumë që nga periudha e Cicales apo Disco Bambina. Ka ndryshuar shumë sidomos edhe pas shtatzënisë sime të fundit në moshën 50-vjeçare. Sot jam 60 vjeçe dhe bukuria e rinisë sime nuk më takon më. Por, që në fillim unë vendosa që të mos e ndjek me çdo kusht atë lloj bukurie, që të mos përpiqesha që të mashtroja veten edhe kohën duke iu drejtuar operacioneve plastike.
Fytyra e plakjes sime është një veprim i së vërtetës dhe përulësisë në të njëjtën kohë. Thjesht, vetëdija ime se përvoja është ajo që na bën unik, jo organet anonime të bukurisë sterotipike më bëjnë kjo që jam sot. Dhe më beso, nuk do ta ndryshoja kurrë “plakjen” time sot, me “bukurinë” time dje! Sepse sot kam shumë më tepër për të treguar dhe kam një qetësi që nuk e kam pasur kurrë”! /KultPlus.com